Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka akuzuar misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, për mos reagim në momentin kur gazetarët u sulmuan nga huliganët në Leposaviq.
“Duke qenë që i gjithë sulmi ka ndodhur në prani të trupave të KFOR-it, të cilët nuk reaguan, por i penguan gazetarët të iknin, kërkojmë nga KFOR-i që të mos i pengojnë gazetarët në raportim, meqë siguri nuk po u ofron”, thuhet në reagim të AGK-së.
Në lidhje me këto sulme ndaj gazetarëve gjatë punës së tyre në veri të vendit, në intervistë të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në RTK, kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha, tha se është pa fjalë për të përshkruar situatën e tmerrshme kur shumoheshin ekipet mediave në veri të vendit.
“Por sulmi më i rëndë ndaj kameramanit të RTK-së, Bardh Bekteshi, shqelmat ndaj tij, e momenti kur rrëzohet, është e papranueshme e brutale dhe ne kemi alarmuar që prej nisjes së kësaj situate, të gjitha institucionet vendore të sigurisë dhe ato ndërkombëtare, që të bëjnë të pamundurën për të ofruar një ambient për gazetarët”, tha Rexha.
Ai tha se ka pasur sulme ndaj të gjithë gazetarëve që ishin aty, ata janë sulmuar me gurë, ka pasur shok bomba në drejtim të të gjitha ekipeve televizive shqiptare nga Prishtina.
Rexha tha se pamja kur një kameraman i RTV Dukagjinit i afrohet pjesëtarit të KFOR-it dhe ai e shtyn drejt turmës, është absolutisht shokuese.
“Gjatë javës kam pasur takim me përfaqësuesit e KFOR-it nga të cilët kam marrë siguri se ata janë këtu për të ofruar siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe për me tepër, gazetarët i kanë prioritet dhe shpresoj se kështu do të jetë në praktikë”, tha ai.
Përndryshe, Rexha tha se kjo që është parë shkon në të kundërtën me premtimin e marrë.
“Është alarmi i fundit dhe thirrja e fundit për KFOR-in, NATO-n e Policinë e Kosovës që të bëjnë gjithçka që është e mundur që të sigurohen gazetarët në teren”.



