Katër qytetarët e Kosovës të arrestuar më 13 qershor nga autoritetet serbe në Merdare janë liruar, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë Prokuroria e Kurshumlisë.
Sipas Prokurorisë, bëhet fjalë për katër shtetas kosovarë të cilët janë mbajtur në burg nga 13 qershori, teksa thanë se ata nuk janë përgjegjës për policët e Kosovës.
Edhe kryetari i Podujevës, Shpejtimi Bulliqi, ka konfirmuar lirimin e tyre.
“Më herët kontaktova me familjarët e të arrestuarve dhe ma konfirmuan që janë rrugës për në Kosovë”, ka thënë Bulliqi për media.
Ndërkaq Qeveria e Kosovës të enjten bëri të ditur se janë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se “synimi ynë është siguria, e siguria fillon te kufijtë”.
Kurti këto komente i bëri gjatë një konference të përbashkët me ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, e cila u mbajt pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku morën pjesë autoritetet e institucioneve të sigurisë, drejtësisë dhe financave të Kosovës, pasi një ditë më parë, tre zyrtarë të Policisë së Kosovës u kipnapuan nga forcat serbe në veri të vendit.


