Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha ka reaguar sot për heshtjen e shefit të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Joseph Borrell, lidhur me situatën e fundit të rrëmbimit të tre policëve të Kosovës nga Serbia.
Policia e Kosovës ka deklaruar dje se forcat serbe kryen një kidnapim klasik ndaj pjesëtarëve të Policisë, në Leposaviq, në një zonë ku kryhet kontrabandë nga ana e Serbisë.
E pas këtij akti ka pasur reagime të shumta nga të gjitha nivelet në Kosovë, por deri tani nuk ka asnjë reagim nga përfaqësuesit e BE-së që merren me ndërmjetësimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
E për heshtjen e plotë që po bën Borell karshi situatës sot ka reaguar edhe deputeti Dimal Basha.
“Mirëmëngjes qytetarë. Siç po e vëreni, asnjë reagim nga Borelli për tre policët shqiptarë që po mbahen në llogoret e Vuçiqit! Reagimi i tij i vetëm paska ardhë për 5 pikat e Kryeministrit, ku ndër tjera paska shkruar se nëse hiqet policia jonë speciale dhe hiqen kryetarët nga objektet komunale, paralelisht do t’i kërkojnë Vuçiqit që “me përkrah tërheqjen e elementeve radikale!””, ka shkruar Basha.
Ai tutje shtoi se kjo përkthehet, se Borelli po e pranon që Vuçiqi i dirigjon këto elemente radikale të strukturave kriminale, dhe se Borelli i paska bë palë kriminelët me kryetarët dhe Policinë e Kosovës, dhe tash po kërkon t’i fus në pazar si palë të barabarta.
“Kjo është ofenduese për shtetin e Kosovës, për Policinë tonë, sepse nuk kemi të bëjmë me palë të barabarta, por Policinë që zbaton ligjin dhe kërkon rend e siguri, dhe kriminelët që synojnë kontroll të asaj hapësire dhe destabilizim të vendit! Kaq për Borellin miq!”, ka shkruar mes tjerash në reagimin e tij Basha.


