Raportet mes popullit të SHBA-së dhe Kosovës janë të forta dhe “nuk do të ndryshojnë”, por Uashingtoni ka “ disa sfida” në raportet dypalëshe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Kështu tha për gazetarët i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
“Ne do të vazhdojmë të jemi mbështetësi juaj më i fuqishëm në komunitetin ndërkombëtar”, tha Escobar.
Sipas zyrtarit amerikan, pavarësisht sfidave në raportet me kryeministrin Kurti, ai tha se “shpresojmë që njerëzit ta kuptojnë se vështirësitë tona të tanishme që kemi me kryeministrin, nuk do të prekin këtë sentiment”.
Escobar tutje ka thënë se presin që më së largu nesër (e mërkurë) të këtë një marrëveshje për qetësim të situatës në veri, duke përmendur edhe tri kushtet që i kanë paraqitur kryeministrit Kurti, e që janë: qetësimi i situatës në veri, mbajtja e zgjedhjeve të reja dhe kthimi në dialog me Serbinë.
“Duhet të ndodhin hapa tani, dhe ne duhet të shohim se kemi pajtim në këtë aspekt sot e nesër, sepse të premten unë dhe Miroslav Lajcak duhet të raportojmë para eprorëve tanë nëse takimi ynë ishte i suksesshëm apo jo”, u shpreh ai.
Escobar, së bashku me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, kanë nisur vizitën në Kosovë të hënën dhe kanë zhvilluar takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Ndërkaq, të martën ata janë takuar edhe me presidenten, Vjosa Osmani, dhe me krerët e partive opozitare. Më pas ata do të takohen ehde me krerët shtetërorë në Beograd.
Zyrtarët amerikanë dhe evropianë i paraqitën Kurtit tri kërkesat e komunitetit ndërkombëtar: qetësimi i situatës në veri të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja në veri dhe kthimi në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja./ Lajmi do të përditësohet…


