Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditë të pandehurit Z. H.
Ekziston dyshimi i bazuar se në fund të vitit 2021, në kohë të pavërtetuar, në Gjilan me qëllim të rregullimit të nënshtetësisë së Republikës së Kosovës, i pandehuri Z. H. i merr nga i pandehuri A. R. shumën prej 10.000 (dhjetë mijë) euro, me qellim që të njëjtat t’ia dorëzon të akuzuarit M. D. – zyrtar në Zyrën e Gjendjes Civile në Komunën e Vitisë, ashtu që pas dhënies së tërthortë të ryshfetit i pandehuri A. R., nga i pandehuri Z. H., pranon ekstraktin e lindjes dhe certifikatën me shënimet personale të tij, e më pas aplikon dhe pajiset në mënyrë të kundërligjshme me letërnjoftim të Republikës së Kosovës.
Më këto veprime i pandehuri Z. H. dyshohet se ka kryer veprat penale “ndihma në kryerjen e veprës penale dhënia e ryshfetit”, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit, gjithashtu duke i marrë për bazë të gjitha ato që u thanë më lart, masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale.
Kujtojmë se një muaj më parë, më saktësisht më 27 prill të këtij viti Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona për veprat penale “marrje e dhënies së ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës zyrtare”.
Atë ditë policia pati njoftuar se i dyshuari A.R. i lindur më 1978 dhe me shtetësi të Maqedonisë së Veriut në këmbim të fitimit të shtetësisë së Kosovës i kishte dhënë dhjetëmijë euro një të dyshuari tjetër në komunën e Vitisë.
E nga hetimet kishte rezultuar se shumën e paguar prej 10000 (Dhjetë mijë euro ) e kishte marrë zyrtari M.D (Zyrtar i gjendjes Civile në Viti), për çka edhe ishte arrestuar me datën 27 prill 2023.


