Është duke u mbajtur seanca e paraburgimit në Gjykatën Themelore në Mitrovicë ndaj ish-nënkryetarit të Skenderajt, Nuredin Lushtaku dhe të dyshuarve tjerë për sulm ndaj dy zyrtarëve policorë në Skenderaj.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka elaboruar kërkesën e paraburgimit ku ka thëne se ka kërkuar masën e paraburgimit për shkak se sipas saj, të njëjtit së bashku kanë kryer veprën penale.
Sipas prokurorisë pas përleshjes që familja Lushtaku kishte pasur me zyrtarët policor, Nuredin Lushtaku, ish-nënkryetari i Skenderajt, ia kishte dërguar armën e policit Enver Berisha, ish-kryetarit të komunës Bekim Jasharit e pastaj ky i fundit e kishte dorëzuar në Polici.
Sipas Prokurorisë Skenderaj është vend i vogël, dhe të njëjtit mund të ndikojnë në dëshmitë e dëshmitarëve që do merren në pyetje ditët në vazhdim.
Prokuroria ka thënë se Nuredin Lushtaku kishte shkuar me dy vëllezërit e tij pasi i kishte thirrur djali i tij pas një dënimi që i kishin shqiptuar zyrtarët policorë.
Avokati mbrojtës i të dyshuarit, Arif Lushtaku ka kundërshtuar kërkesën e prokurorisë për caktim të masës së paraburgimit, ndaj klientit të tij, për shkak se sipas tij, i njëjti vullnetarisht ka shkuar në polici për të dhënë deklaratë.
Avokati, Haxhi Millaku, ka thënë se zyrtarët policorë, kanë provokuar situatën dhe kanë dashur të tregojnë në publik se djalin e kujt e kanë gjobitur.
“E mban një qytetar të ndaluar në kohë të pacaktuar në komunikacion, e mban nën kontroll dhe bënë reklamë në opinion, në qendër të Skenderajt një djalë të që e din se baba e tij ka një ‘background’ dhe një personalitet, dhe dëshiron që të tregojë kushtimisht dhembët e uniformes, se ja kush jam unë dhe çfarë unë bëjë, duke ja përdhosur autoritetin, dhe më tepër i implikon edhe dy dëshmitarët policët, Behrami dhe Murtezaj, “ ka thënë Millaku, nder të tjera.
Ai tutje ka shtuar se fillimisht është shtënë me armë nga zyrtari policor, Enver Berisha.
“Unë jam i bindur se në të ardhmen do vërtetohet që çdo veprim që kanë ndërmarr i mbrojturi im dhe të tjerët kanë qenë si reagim e afektit mendor pasi që është shtënë me armë nga ana e policit si i dëmtuar, ai ka bërë provokim edhe më herët. Personi zyrtar me emrin, Enver Berisha ka provokuar, ka dënuar dhe ka kanosur me armë, duke bërë ndikimin si oficer, duke keqpërdorur uniformen dhe kësaj kur ja shtojmë ‘backgroundin’ nga evidenca kriminale dhe denoncimet qe ka nga qytetarët procedurat e inspektoratit kundër Enver Berishës, vetëm për 12 muajt e fundit,. I nderuar gjyqtar nëse këtë që e themi e gjeni se Haxhi Millaku po spekulon apo bënë opstruksion ndaj drejtësisë, në çdo kohë pranoj çfarëdo mase si person me etike profesionale, këto janë fakte që i bie se një rrjet e merimangës është lëshuar, nga Enver Berisha dhe duke i futur në lojë nataret e familjes që këtu janë tani të pandehur”, ka thënë Millaku.
Ekipi i Kohës është brenda seancës por nuk iu është lejuar të xhirojnë.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë të hënën gjatë ditës i ka kërkuar Gjykatës Themelore që t’ua caktojë masën e paraburgimit dy të dyshuarve për rastin e plagosjes së dy policëve të shtunën mbrëma në Skenderaj, F.L. dhe A.L., ndërkohë që ish-nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Nuredin Lushtaku, është shpallur në kërkim.
Menjëherë pas shpalljes në kërkim, Lushtaku është dorëzuar në Polici.