Një 16-vjeçar është arrestuar në Kaçanik, pasi dyshohet se gjatë një mosmarrëveshjeje ka kanosur një person me armë zjarri.
Rasti është raportuar më 20 gusht, rreth orës 17:25, në Stacionin Policor në Kaçanik. Ankuesi ka deklaruar se në fshatin Doganaj ishte kanosur me armë zjarri gjatë një mosmarrëveshjeje.
“Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë arrestuar dy persona të dyshuar. Gjatë kontrollit, në një hapësirë me barishte, jashtë një shtëpie, policia ka gjetur dhe konfiskuar një pistoletë pa fishekë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Pas intervistimit, 16-vjeçari me inicialet B.C. është ndaluar për 24 orë, ndërsa personi tjetër, madhor, është liruar dhe rasti ndaj tij do të zhvillohet në procedurë të rregullt.
Sipas Policisë së Kosovës, rasti është iniciuar për veprat penale “Sulmi”, “Kanosja me armë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

