I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se gjatë takimit me kryeministrin Albin Kurti, kanë diskutuar mbi procesin e normalizimit dhe hapat e mëtejmë pas takimit në Bruksel.
Lajçak ka thënë se ka dakordim për hapat që do të merren më tutje, ndërkohë që ka paralajmëruar se të premten do të jetë në Beograd.
Ai ka shtuar se duhet të ketë qartësi për hapat e mëtejmë.
“Patëm një diskutim shumë intensiv, por shumë të rëndësishëm dhe të dobishëm me kryeministrin Kurti”.
Lajçak ka thënë se gjatë ditës do të jetë edhe në veri të Kosovës, sipas tij, për ta kuptuar dhe parë “vetë situatën atje” duke shpresuar se “do të ketë një zgjidhje politike për t’u fokusuar në normalizim dhe marrëveshje”.
“Ne mund të kemi ose normalizim, ose konflikt. Sigurisht se ne duam të fokusohemi plotësisht në normalizim, prandaj duam të shmangim çfarëdo përshkallëzimi, nuk është në interesin e askujt”, ka theksuar Lajçak.
Ai bëri të ditur se të hënën në Bruksel do të ketë takim me kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.
“Pra, kjo është shumë e rëndësishme që ne të kemi qartësi se si të kemi një marrëveshje, ne kemi aneksin, kështu që duhet të kemi një kuptim të qartë të hapit 1 hapit 2 dhe hapit 3, kështu që ky ishte qëllimi që kishim siç thashë një diskutim shumë intensiv por shumë i rëndësishëm dhe i dobishëm me kryeministrin”, tha Lajçak.