Një grabitje e armatosur ka ndodhur në një filial të një institucioni mikrofinanciar në kryeqytet.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Nazim Gafurri” në Prishtinë.
Kështu tha për Flora Ahmeti, zyrtare për informim e policisë për rajonin e Prishtinës.
Ahmeti tha se dyshohet se një person nën kërcënimin e armës ka grabitur një shumë parash.
’Sot rreth orës 14:00 është raportuar për një grabitje të ndodhur në një institucion mikrofinanciar në rrugën “Nazim Gafurri”në Prishtinë. Pas marrjes së informacionit policia ka dalë në vendngjarje dhe bazuar në informacionet e para, dyshohet se një personi i dyshuar nën kërcënim të armës ka grabitur një shumë parash.Policia ka iniciuar një hetim lidhur me rastin dhe ka nisur me ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme policore me qëllim zbardhjen e rrethanave të rastit si dhe identifikimin dhe arrestimin e personit të dyshuar’’, tha Ahmeti.
I dyshuari ka shkaktuar shqetësim dhe frikë tek punonjësja që ishte duke punuar në filialin mikrofinanciar, duke bërë kështu që në vendin e ngjarjes të dalin edhe ekipet mjekësore.


