Rreth 30 mijë euro pritet që t’i kursejë Telekomi i Kosovës nga qiraja që paguante për dy objekte, njërin në shesh dhe tjetrin te pjesa e kryeqytetit e njohur si Qafa. Pas skadimit të kontratave disavjeçare, kjo ndërmarrje do të zhvendoset në objekte të tjera. E vetëm për njërin lokal, Telekomi nga viti 2015 ka paguar rreth 3 milionë euro. Pas marrjes së këtyre objekteve me qira është raportuar për lidhjen e dyshimtë të pronarëve me njerëz të politikës.
Pas tetë vjetësh, Telekomi i Kosovës është zhvendosur nga lokali në sheshin e Prishtinës, për të cilin ka shpenzuar miliona euro në qira.
Afro 3 milionë euro ka paguar Telekomi i Kosovës për shfrytëzim të këtij objekti me qira që nga viti 2015. Kontrata ka skaduar muajin e kaluar.
Bazuar në të dhënat e siguruara nga KOHA, kontrata e parë ishte nënshkruar në maj të vitit 2015 me kohëzgjatje prej 5 vjetësh. Vetëm 6 muaj më vonë, asaj i është shtuar një aneks, në të cilin përfshihet nënkulmi dhe shtohet edhe shuma e qirasë dhe tre vjet më shumë kohëzgjatje.
Më 2018 u raportua se Telekomi i kishte paguar avans “Savinja Skupina Kosovo”, kompani kjo, që bazuar në të dhënat e ARBK-së, është pronë e Ganimete Sadikajt.
Pas marrjes së objektit me qira u raportua për lidhjen e dyshimtë të pronarëve me njerëz të politikës. Për të njëjtin objekt pati përplasje midis Sami Lushtakut të PDK-së e Taip Sadikajt me ish-gjyqtarin Sami Gërdovci.
Dy nëpunës të Gjykatës Komunale të Prishtinës kishin për detyrë të ekzekutonin vendimin e kësaj gjykate që i njihte Bratisllav Millenkoviqin e Jovica Simiqin për pronarë të objektit, e për çka ekziston edhe një aktgjykimin i datës 26 tetor 2007.
Bazuar në këtë aktgjykim, gjykata konkludoi se ekzistojnë dëshmi bindëse që Lushtaku e Sadikaj përdorën kërcënime serioze për të detyruar personat zyrtarë që të mos e ekzekutojnë vendimin gjyqësor.
Lushtaku është dënuar me burgim prej katër muajsh me kusht për këtë rast, ndërsa Sadikajt i është shqiptuar vërejtje gjyqësore.
Pronarja aktuale e këtij lokali, Ganimete Sadikaj, e kishte parashtruar në komunë kërkesën për renovim të objektit bashkë me Taip Sadikajn, i cili së bashku me Sami Lushtakun kishin penguar zbatimin e vendimit gjyqësor për këtë lokal.
Por, burimet kanë bërë të ditur se kompania tashmë është mbyllur dhe lokali është blerë nga dikush tjetër, për identitetin e të cilit burimi nuk ka dijeni, shkruan koha.
Tashmë Telekomi ka marrë një objekt tjetër me qira në sheshin “Zahir Pajaziti”, për të cilin do ta paguajë më pak qira sesa që paguante paraprakisht.
Kjo ndërmarrje tashmë është gati për t’u zhvendosur edhe tek objekti tjetër te kompleksi Qafa.


