Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se Beteja e Koshares është ndër betejat më të lavdishme të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Është kujtimi e kuptimi i sakrificës sublime se si duhet atdheu dhe si vdiset për të. “24 vjet më parë, në Koshare po shkruhej me gjak epopeja për çlirimin e Kosovës nga regjimi gjenocidal i Serbisë agresore”, ka thënë Konjufca.
“Beteja e Koshares është ndër betejat më të lavdishme të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Është kujtimi e kuptimi i sakrificës sublime se si duhet atdheu dhe si vdiset për të. Është trimëria dhe heroizmi i pashembullt i burrave dhe grave, djemve e vajzave të UÇK-së, monument në vetvete më i lartë se vetë kreshtat e Kosharës”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook.
Sipas Konjufcës, 24 vjet më parë, në Koshare po shkruhej me gjak epopeja për çlirimin e Kosovës nga regjimi gjenocidal i Serbisë agresore. Ndërsa sot, idealet e luftës çlirimtare të popullit tonë dhe amanetin e të rënëve do ta çojmë në vend vetëm nëse të gjithë bashkë, me përpjekje të pareshtura, do ta mbrojmë, forcojmë e përparojmë pavarësinë, integritetin dhe sovranitetin e Republikë së Kosovës.
“Kujtimi i të rënëve në themelet e shtetit tonë do të jetë i përjetshëm.
Lavdi!”, ka shkruar Konjufca në kujtim të 24-vjetorit të Betejës së Kosharës të zhvilluar nga UÇK-ja./KosovaNews


