Shqipe Mjekiqi-Sadiku ka thyer heshtjen dhe është deklaruar për largimin e saj nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
Në një deklaratë që ka shkruar në rrjetin social, Mjekiqi-Sadiku ka konfirmuar publikisht raportimet se ka dhënë dorëheqje nga partia, ndërsa ka bërë të ditura edhe arsyet e ikjes.
Ajo thotë se njëra ndër arsyet e dorëheqjes së saj, qe hapësira e pamjaftueshme për të kontribuar derisa pohon po ashtu se edhe përgjegjësitë e kompetencat ishin të kufizuara.
“Të martën, më 14 mars 2023, kam dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetares dhe anëtares së Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës. Mundësinë për të shërbyer në strukturat e larta e morra si besim dhe konfirmim për vullnetin e mirë drejt ndryshimeve thelbësore. Fatkeqësisht, hapësira për të kontribuar ishte e pamjaftueshme ndërkaq, përgjegjësitë dhe kompetencat ishin të kufizuara në raport me pozicionin që kisha. Për më tepër, përpjekjet për të ndryshuar këtë nuk patën sukses”, ka thënë ajo.



