Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ua ka kujtuar bizneseve që kanë aplikuar që të marrin punëtorë të rinj përmes pakos Superpuna, rregullat që duhet të ndjekin që të jenë mandej edhe përfitues.
Murati ka theksuar të martën se të gjithë punëdhënësit që kanë marrë punëtorë të rinj përmes Superpuna, duhet t’i deklarojnë të punësuarit në ATK në afatin e rregullt, në mënyrë që të mund të përfitojnë nga subvencioni në pagë prej 264 euro.
Qeveria e Kosovës, respektivisht Ministria e Financave, Punëve dhe Transfereve e ka lansuar më 6 shkurt 2023 Platformën për Punësim të të rinjve.
Kjo skemë parasheh subvencionimin e pagës në shumë deri 264 euro nga Qeveria e Kosovës për gjashtë muajt e parë të punësimit të 10 mijë të rinjve në Kosovë.
Platforma Superpuna, u lansuan për të mbështetur sektorin privat në krijimin e vendeve të reja të punës për të rinjtë e moshës 18-25 vjeç.
Pasi subvencioni i Qeverisë do të jetë në nivelin nga 264 euro për 6 muaj me radhë, punëdhënësi mund të shtojë edhe mbi këtë shumë.
“Ftojmë të gjithë punëdhënësit që të përfitojnë nga kjo mundësi, duke shpallur pozitat e lira përmes platformës superpuna. I tërë procesi është objektiv, dhe i automatizuar”, thuhej në një njoftim të lëshuar nga Ministria e Financave, Punëve dhe Transfereve kur u lansua ky projekt.


