Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në ditën e dytë të vizitës në Kosovë ka takuar edhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Lajçak gjatë ditës ka takuar kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Gjatë ditës së djeshme përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun, Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka takuar presidenten e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministri, Albin Kurti.
Pas takimit vetë Lajçak tha për mediat se me Kurtin zhvilloi një takim “konstruktiv, të rëndësishëm dhe shumë të frytshëm”.
Ai shtoi se pritshmëritë e tij në takim me të parin e ekzekutivit janë përmbushur sa i përket asaj se si e sheh Kosova zbatimin e planit të Propozimit evropian.
Ndërkohë Lajçak do të qëndrojë edhe sot në Kosovë dhe mandej pritet ta vizitojë edhe Beogradin.
Kjo është vizita e parë e tij në Kosovë e Serbi, që nga takimi i 27 shkurt në mes të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, që u mbajt në Bruksel.
Pas atij takimi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati thënë se ai ishte i gatshëm të firmoste dakordimin për propozimin evropian porse, sipas tij, pala serbe ka refuzuar.
E presidenti i Serbisë, Vuçiq, pati deklaruar se nuk është arritur asgjë, meqë Kurti ka refuzuar Asociacionin. Megjithatë, për zyrtarët e BE-së takimi ka qenë i suksesshëm.
Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, kishte thënë se të dy liderët janë pajtuar se më nuk ka nevojë për diskutime për propozimin e BE-së dhe se ata kanë shprehur gatishmërinë të vazhdojnë me implementimin e marrëveshjes pas diskutimeve për modalitetet e dispozitave të saj.
Takimi i radhës në mes të Kurtit e Vuçiqit pritet të mbahet më 18 mars në Maqedoninë e Veriut.


