I dërguar special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, sot do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Kosovë.
Në takimin që ai do ta zhvillojë me kryeministrin Albin Kurti, pritet të diskutohet për Udhërrëfyesin për zbatimin e Planit evropian.
Në një njoftim të Kryeministrisë bëhet e ditur se Lajçak do të takohet me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në hapësirat e ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.
Sipas njoftimit takimi pritet të ndodhë në orën 16:00.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pret në takim përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák VENDI: Ndërtesa e Qeverisë KOHA: 16:00”.
Tutje thuhet se mediet mund të marrin pamje në oborr.
Pas Prishtinës Lajçaku pritet ta vizitojë edhe Beogradin.
Kjo është vizita e parë e tij në Kosovë e Serbi, që nga takimi i 27 shkurt në mes të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, që u mbajt në Bruksel.
Pas atij takimi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati thënë se ai ishte i gatshëm të firmoste dakordimin për propozimin evropian porse, sipas tij, pala serbe ka refuzuar.
E presidenti i Serbisë, Vuçiq, pati deklaruar se nuk është arritur asgjë, meqë Kurti ka refuzuar Asociacionin. Megjithatë, për zyrtarët e BE-së takimi ka qenë i suksesshëm.
Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, kishte thënë se të dy liderët janë pajtuar se më nuk ka nevojë për diskutime për propozimin e BE-së dhe se ata kanë shprehur gatishmërinë të vazhdojnë me implementimin e marrëveshjes pas diskutimeve për modalitetet e dispozitave të saj.
Takimi i radhës në mes të Kurtit e Vuçiqit pritet të mbahet më 18 mars në Maqedoninë e Veriut.