Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka kritikuar marrëveshjen që është arritur në Bruksel ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke thënë se nga qëllimi shtetëror për marrëveshje finale me njohje në qendër, në marrëveshje të përkohshme me Asociacion në qendër.
Krasniqi ka thënë se është dita e katërt që kur kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se e pranon marrëveshjen bazuar në propozimin evropian.
Ai ka thënë se është po ashtu dita e katërt që gjithandej në Kosovë diskutohet për këtë marrëveshje dhe për pasojat eventuale që sjell ajo në mungesë të qartësimit të çdo pike të saj.
Sipas tij, një politikan i ndërgjegjshëm do të kishte shkuar vet në seancë për të raportuar, pa ndonjë mocion.
Ai ka thënë se Kurti nuk ka pse të ikë e as të frikësohet nga deputetët.
“Unë nuk e kuptoj se çfarë pune më të rëndësishme ka kryeministri se me ardhë në Kuvend e me iu drejtu deputetëve e qytetarëve. Po flasim për një marrëveshje preambula e së cilës heq dorë nga njohja e ndërsjellë, neni 10 specifikon se pa njohje të ndërsjellë pranon asociacionin. Nga ajo që kemi parë është që ajo marrëveshje nuk mund të fuqizohet pa u ratifikuar në Kuvend. Ka shumëçka se çka thuhet në këtë marrëveshje. Ne e mbështesim kërkesën për debat”, ka thënë ai.


