Në kohën kur Kuvendi ka qenë duke e shqyrtuar Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për “Projektin e reformës së sistemit të ndihmës sociale në Kosovë”, deputeti i LVV-së, Dimal Basha, ka thënë se LVV-ja i ka mbështetur marrëveshjet ndërkombëtare edhe në kohën kur LDK-ja me mocion e ka rrëzuar Qeverinë Kurti. Ai, ish-kryeministrin Avdullah Hoti, tani deputet i LDK-së, e ka quajtur “kryeministër të kontrabanduar”.
“Marrëveshjet ndërkombëtare LVV i ka mbështetë edhe në kohën kur LDK-ja e pati sjellë mocionin dhe e pati rrëzuar Qeverinë. Ne prapë në opozitë i kemi votuar ato marrëveshje ndërkombëtare. Edhe pse na patën rrëzuar padrejtësisht ne prapë i patëm votuar. Është me rëndësi të dihet se të njëjtën marrëveshje ky Kuvend e ka miratuar në kohën më të vështirë kurse sot i njëjti deputet atëherë kryeministër i kontrabanduar del jep arsye që nuk qëndrojnë”, ka theksuar Basha.
Ndërsa deputeti Hoti ka thënë se deputeti Basha duhet të jetë i sinqertë me veten.
“Atë Qeveri e kanë rrëzuar votat e deputetëve. Ajo Qeveri nuk e ka merituar mandatin, nuk e meriton as kjo. Deputeti duhet ta dijë që subjekti i tij nuk e ka votuar Marrëveshjen e stabilizim asociimit, por ka harruar se s’ia ka idenë se i ka ndërruar disa parti derisa ka ardhë këtu. Pyeteni Qeverinë tuaj çfarë qeverie është ajo që nuk mund t’i paguajë pensionet. Të mjerë keni qenë dhe të mjerë jeni”, ka theksuar Hoti.
Duke iu kundërpërgjigjur Basha ka thënë se me rëndësi për të është që Hoti nuk e mohiu që LVV-ja e ka votuar atë marrëveshje.
“Për ndërrimin e partive të mija unë skam qenë asnjëherë në ndonjë parti tjetër. A zoti Hoti doli që kishte qenë anëtar i partisë së re a sot shitet rugovist. S’kishit qenë as ti as Isa Mustafa”, ka theksuar Basha.


