Ish-Kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës Arianit Jakupi ishte shkarkuar më 25 janar të këtij viti nga detyra e kryetarit të OFK-së. Me 29 vota pro, 25 kundër dhe dy abstenime, Arianit Jakupi është shkarkuar nga pozita e kryetarit të OFK-së.
Shkarkimi është bërë pas kërkesës së Anëtarëve të Kuvendit të OFK-së për mbajtje të Kuvendit të jashtëzakonshme me pikën e rendit të ditës “mocion mosbesimi sipas neni 20 pika 6 të statutit të OFK-së, për shkelje statusore referuar neneve: 19 pika 3, 19 pika 4, 68 pika 4, 26.6 pika 6.2 dhe pika 6.3.” Në vendimin e kuvendit të OFK për shkarkimin e Arianit Jakupit në pikën 3 të këtij vendimi thuhet se ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
Por edhe pse ish-kryetari Jakupi është shkarkuar nga kuvendit dhe nga ai moment më nuk ka kurrfarë të drejte të përfaqësimit të Odës së Farmacistëve ai po vazhdon ta mbajë këtë pozitë kundërligjshshëm duke shkelur statusin e organizatës sikur mos të kishte ndodhur asgjë.

Sipas burimeve dhe dokumenteve të siguruara nga KosovaNews Arianit Jakupi është duke e shpërfillur vendimin e Kuvendit të OFK-së dhe po vazhdon të nënshkruaj dokumente në cilësinë e kryetarit në detyrë edhe pse kjo gjë nuk parashihet në statutin e OFK-së. Ai madje është parë javën e kaluar përkrah ministrit të Shëndetësisë Arben Vitija duke bërë homazhe në cilësinë e kryetarit të OFK-së, në obeliskun e ndërtuar për nder të profesionistëve shëndetësor të cilët kanë humbur jetën gjatë luftës.
Në bazë të statutit të OFK-së në momentin kur mungon kryetari pozitën e tij e ushtron nënkryetari i Odës së Farmacistëve.

Kosovanews javën e kaluar ka dërguar pyetje në OFK për të kërkuar shpjegime se pse po vazhdon ta mbaj Arianit Jakupi pozitën e kryetarit mirëpo nuk kemi marrë përgjigje. KosovaNews ka kontaktuar edhe me ish- Kryetarin e OFK-së Arianit Jakupi dhe e kemi pyetur se në bazë të cilës rregullore po vazhdon ta mbaj pozitën e kryetarit? Jakupi ka thënë përmes telefonit që t’i dërgojmë pyetje në emailin zyrtar të OFK-së dhe do të marrim përgjigje, mirëpo për këtë nuk kemi marrë përgjigje as pas 4 ditësh.
Gjithashtu përmes telefonit e kemi pyetur edhe Sekretarin e Odës Taulant Bajrami por i njëjti ka refuzuar të përgjigjet duke thënë se do të përgjigjen përmes emailit mirëpo kjo gjë nuk ka ndodhur deri në momentin e publikimit të këtij lajmi.
Arianit Jakupi njihet si njeri i afërt me PDK-në, ai ka qenë Kryeshef i Agjensionit te Barnave gjatë qeverisjes së PDK-së, më pastaj ishte zgjedhur kryetar i OFK në vitin 2018, ndërsa më 11 qershor të vitit 2022 ishte rizgjedhur në këtë pozitë ku më pas u shkarkua nga Kuvendi i Odës së Farmacistëve më 25 janar të këtij viti.
