Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim ndaj 12 të akuzuarve në rastin “Subvencionet 1”. 11 prej tyre, Gjykata i dënoi me burgim efektiv prej 31 vitesh, 171 mijë euro gjobë dhe 6 vite burgim me kusht (së bashku). Kurse, një i akuzuar u lirua nga të gjitha akuzat.
Aktgjykimi u shpall të enjten nga kryetari i trupit gjykues, Kujtim Krasniqi.
Rasti ishte hetuar nga kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi, Prokurori Rafet Halimi si dhe shefi i Sektorit kundër korrupsionit kapiteni, Fidan Haliti.
Të akuzuarit: Luan Statovci, Sadat Shkodra, Salih Statovci, Berat Nika, Hasan Maxharraj, Kushtrim Zogaj, Jeton Sylaj, Lulzim Hajdaraj, Musa Nivokazi, Almir Abdurrahmani, Afrim Abazaj dhe Florim Nimanaj, ngarkoheshin me veprat penale “Marrje ryshfeti”, “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, “Mashtrim me subvencione”, e të tjera.
Sipas aktakuzës së ndryshuar të PSRK-së, të 4 prillit 2022, Flamur Zeqiri, Bekim Shala, Kastriot Berisha dhe Dukagjin Mavraj, akuzoheshin për veprën penale mashtrim me subvencione, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar akuzohej Habibe Dauti, për marrje ryshfeti dhe falsifikim të dokumenteve akuzohej Alban Bushati, ndërsa për dhënie ryshfeti akuzohej Daut Kabashi.
Fuat Morina pasi e kishte pranuar fajësinë, më 2 qershor 2022 u dënua me 6 muaj burgim për vepën penale “Mashtrimi me subvencione”, dënim i cili me pëlqimin e tij do t’i zëvendësohet me gjobë në shumën prej 5 mijë euro. Po ashtu, të njëjtit i janë konfiskuar 27 mijë euro. Kurse, për Salih Kelmendin, gjykimi është duke vazhduar.
Aktakuza e ndryshuar më 4 prill 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ngarkon Luan Statovcin, Sadat Shkodrën, Salih Statovcin, Berat Nikën, Hasan Maxharrajn, Kushtrim Zogajn, Jeton Sylajn, Lulzim Hajdarajn, Musa Nivokazin, Almir Abdurrahmanin, Salih Kelmendin, Fuat Morinën, Afrim Abazajn dhe Florim Nimanajn me veprat penale “Marrje ryshfeti”, “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, “Mashtrim me subvencione”, e të tjera.


