Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se strukturat vendimmarrëse të partisë kanë miratuar propozimin e tij që Kujtim Shalën ta caktojnë për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës, kurse Hykmete Bajramin për shefe të grupit parlamentar të LDK-së.
Abdixhiku, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se propozimi është mbështetur nga Grupi Parlamentar dhe nga Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe “të dy pozitat do të nominohen përkatësisht caktohen nga grupi ynë”.
“Ju priftë e mbara e dalshi faqebardhë në këtë detyrë fisnike për shtëpinë tonë politike, votuesit tanë e popullin e Kosovës”, ka shkruar Abdixhiku.
Kujtim Shala ka qenë nënkryetar i Kuvendit të Kosovës edhe gjatë legjislaturës së fundit.
Ndryshe, sot ka dështuar konstituimi i Kuvendit të Kosovës, pasi që nuk u miratua raporti i komisionit për verifikimin e mandateve.
Drejtuesit e PDK-së dhe LDK-së, po kërkojnë dorëheqjen e Albin Kurti nga pozita e kryeministrit, anipse ky i fundit ka dorëzuar një letër ku shkruan se jep dorëheqje nga ky post para betimit të tij si deputet.
I pari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se apetiti i madh i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje – dhe i prijësit të tyre për të qenë edhe Kryeministër edhe Deputet, prodhoj sot një episod të errët demokratike në vend.