Kam arritur, shkroi Milorad Dodik në rrjetin X mbrëmë, tre orë pas mesnate. Megjithatë, presidenti i Republikës Serbe, për të cilin është lëshuar një urdhër arresti, nuk ka treguar se ku ndodhet.
Burime të afërta me Dodik thanë për Istragu.ba, se presidenti i Republikës Serbe ka udhëtuar nga Beogradi në Moskë pasi ai u ndoq nga Jerusalemi, ku kishte shkuar për një konferencë antisemitizmi. Autoritetet e Izraelit kërkuan nga Dodik të largohej pasi ai kërkohet nga gjykata e BeH pas dënimit me një vit burg.
Meqenëse avioni qeveritar i Republikës Serbe është ende i “parkuar” në Banja Llukë, duket qartë se Dodik ka përdorur një tjetër avion drejt Moskës. Në ora tre ai njoftoi se kishte “arritur”. Sipas të dhënave nga aeroporti i Moskës, një aeroplan nga Beogradi u ul në orën 4:10 me kohë lokale.
Duke qenë se diferenca kohore midis BeH dhe Rusisë është dy orë, ora 4:10 e mëngjesit me orën e Moskës ishte 2:10 e mëngjesit me kohën e BeH. Dodik njoftoi se kishte “arritur” saktësisht në orën tre, domethënë rreth 50 minuta pasi avioni nga Beogradi për në Moskë u ul.
Pse Dodik udhëtoi për në Moskë me fluturim të rregullt?
Tri ditë më parë, Gjykata e BeH urdhëroi lëshimin e një urdhër-arresti ndërkombëtar për Dodik. Në momentin e publikimit, Sekretari i Përgjithshëm i Interpolit ende nuk e kishte miratuar lëshimin e fletarrestit dhe vendimi përfundimtar duhet të merret në ditët në vijim.


