“Ka kaluar koha kur Kroacia e pyeste Beogradin se çfarë i lejohej të bënte dhe si duhej ta bënte, dhe kjo nuk do të ndodhë më kurrë”, shprehet Ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anusic, në përgjigjen e tij për Ministrinë e Jashtme të Serbisë, e cila tha se do të kërkojë përgjegjësi nga Kroacia dhe Shqipëria që bashkë me Kosovën nënshkruan Deklaratën e Bashkëpunimit Trepalësh Ushtarak.
Ministri Anusic, ia bën me dije Serbisë se shteti i tij “do të nënshkruajë Deklarata me kë të dojë”.
“Ka kaluar koha kur Kroacia e pyeste Beogradin se çfarë guxon të bëj dhe si duhet ta bëj, dhe kjo nuk do të përsëritet më kurrë. Kemi 35 vjet që jemi shtet i pavarur, kemi kaluar pesë vite agresion dhe politikë që mbrojti një narrativë të tillë. Kroacia do të nënshkruajë deklarata me kë të dojë dhe bashkëpunimi me Shqipërinë dhe Kosovën është i fokusuar në shkëmbimin e njohurive, bashkëpunimin ndërmjet industrive ushtarake, mbështetjen për rrugën euroatlantike të Shqipërisë dhe Kosovës…”, shkruan Anusic në rrjetin “X”, transmeton Express.
Kosova, deklaratën mes tre shteteve e ka cilësuar si hap jashtëzakonisht të rëndësishëm për sigurinë dhe paqen në rajon. Por, reagim i ashpër erdhi dje nga Ministria e Jashtme e Serbisë duke u shprehur se do të kërkojë përgjegjësi nga Kroacia e Shqipëria.


