Avokati i familjes të cilës i është keqtrajtuar fëmija, Nasuf Hasani ka njoftuar se nëna e trevjeçarit që u rrah nga edukatoret e kopshtit “Gëzimi Ynë”, tashmë ka dhënë deklaratën në Polici.
Hasani para mediave tha se presin nga organet e drejtësisë që të veprojë sipas procedurave, ndërsa tha se të dyshuarat po vazhdojnë të qëndrojnë në Polici.
“Kanë bërë tri vepra penale. Uroj të mos ketë më raste të tilla. Janë duke intervistuar nga Policia e Kosovës. Është hera parë, fëmija ka trauma, sa i përket kopshtit tashmë është e pamundur të dërgohet, ai ka qenë edhe i izoluar nga fëmijët tjerë. Edhe gjatë natës, ai po ka truma, nuk dëshiron të kujtojë muhabetet rreth kopshtit, ai duhet t’i nënshtrohet tretmanit të psikologut”, tha avokati.

Ndryshe, të hënën, një qytetar në rrjetin e tij social në Facebook ka njoftuar se nipi tij është rrahur nga tri edukatore.
“Të nderuar media dhe prindër! Dua të ndaj me ju diçka të tmerrshme që sapo ka ndodhur në Fushë Kosovë, në çerdhen shtetërore të fëmijëve “Gëzimi Ynë”, është rrahur brutalisht nipi im Lisi, vetëm 3 -vjeç. Shikoni kamerat ku shihet qartë që po rrihet e tërhiqet zvarrë, me pas e dërgojnë në një dhomë pa kamera dhe e rrahin pa mëshirë të tri mësueset…”
Lidhur me rastin, drejtori i Arsimit në Fushë Kosovë ka njoftuar se Policia është duke intervistuar edukatoret, ndërsa tha se do të pezullojnë nga puna personat që dyshohet se u përfshinë në rastin e dhunës.
Kurse ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka reaguar pas dhunës fizike që dyshohet se është ushtruar ndaj një 3-vjeçari në një çerdhe në Fushë-Kosovë.
Ajo ka thënë se është thellësisht e shqetësuar nga pamjet e publikuara, derisa ka paralajmëruar se do të ketë masa ndaj institucionit dhe edukatoreve.
Për rastin ka pasur reagime të shumta, ndërsa nëna e trevjeçarit para mediave tha se djali ka edhe disa probleme shëndetësore.
Kurse koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve KOMF, ka bërë thirrje që të intensifikohet monitorimi dhe inspektimi sistematik i kopshteve përmes inspektorëve dhe konsultimeve me prindërit në mënyrë që të parandalohen rastet e tilla.


