Talenti i ri i futbollit kosovar, Aron Babaj, ka bërë hapin më të madh të deritanishëm në karrierën e tij, duke u transferuar zyrtarisht te klubi italian, AC Milan.AC Milan ka konfirmuar se mesfushori i lindur në vitin 2009 ka firmosur kontratë dhe do të jetë pjesë e projektit zhvillimor të njohur si “Milan Futuro Project”.Në njoftimin zyrtar, Milani ka bërë të ditur se Babaj i bashkohet projektit të dedikuar për rritjen dhe zhvillimin e talenteve të rinj, duke e konsideruar atë si pjesë të planeve afatgjata të klubit.“AC Milan ka kënaqësinë të njoftojë transferimin e Aron Babajt, i cili do t’i bashkohet projektit Milan Futuro, një iniciativë e dedikuar për rritjen dhe zhvillimin e talenteve të rinj,”– thuhet në njoftimin zyrtarw të klubit italian, duke shtuar se mesfushori i lindur në vitin 2009 ka vendosur të bashkohet me “Rossonerët”.Edhe klubi i tij i deritanishëm, KF Prishtina e Re, ka reaguar përmes një mesazhi urimi.“Mesfushori i KF Prishtina e Re, Aron Babaj, ka bërë hapin e radhës në karrierën e tij, duke u bashkuar me AC Milan. Talenti i lindur në vitin 2009 do të jetë pjesë e një projekti të dedikuar zhvillimit dhe rritjes së futbollistëve të rinj, ku do të vazhdojë rrugëtimin e tij në një nga klubet më të mëdha të futbollit botëror,”– thuhet në njoftimin e klubit nga Prishtina, i cili i ka uruar Babajt suksese në kapitullin e ri të karrierës.Deri në këtë transferim, 16-vjeçari ishte pjesë e Prishtinës së Re, ndërsa në nivel ndërkombëtar ka përfaqësuar Kosovën në grupmoshat U16 dhe U17. Babaj vjen nga një familje e lidhur ngushtë me futbollin, pasi është djali i Shpëtim Babajt, ish-futbollistit dhe trajnerit kosovar.Kalimi te Milani konsiderohet një hap i rëndësishëm jo vetëm për karrierën e Aron Babajt, por edhe për futbollin kosovar, duke dëshmuar rritjen e interesimit të klubeve të mëdha evropiane për talentet e reja nga Kosova.
Gjithashtu lexoni:
Kosova News


