Qeveria e Kosovës nuk do t’i ekzekutojë pagat për grevistët.
Kështu tha zëdhënësi i Qeverisë Përparim Kryeziu.
Kryeziu tha se pagat në sektorin publik janë ekzekutuar për zyrtarët kanë dalë në punë dhe kanë kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre.
“Për muajin shtator, pagesat në sektorin publik janë ekzekutuar për zyrtarët të cilët kanë dalë në punë dhe kanë kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre. Paga mujore është kompensim për punë. Në raste të grevave, kjo çështje përcaktohet në ligjin për Greva” – tha Kryeziu.
Ndërkohë shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila është deklaruar pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, teksa foli për grevën citoi Ligjin, i cili nuk parasheh kompensim të grevistëve për ditët që nuk punojnë.
“Me Ligjin mbi grevën përcaktohet e parashihet që punëtorët qoftë në sektorin publik, qoftë në atë privat, ata të cilët janë pjesë e grevës së deklaruar, sipas rregullave të parapara me ligj, nuk kompensohen për ditët të cilat nuk janë në vendin e punës”, ka thënë ajo.
Kusari-Lila tha se duhet secili institucion buxhetor, qoftë nacional apo lokal të dërgojë listat se si ka qenë pezanca e punonjësve të punë, në mënyrë që pastaj të bëhen pagesat siç parashihet me ligje.


