Zëvendësministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), Hysen Durmishi sot në një konferencë për media i ka paraqitur një varg të gjeturash për keqpërdorimet në njësitë për patentë shofer që janë bërë anekënd Kosovës.
Ai ka treguar se kanë zbuluar shkelje flagrante që janë bërë në këtë sektor, duke dhënë leje edhe për persona që nuk kanë qenë fare në Kosovë dhe pajisur brenda pak ditësh vetëm nga një ekzaminer mbi 200 persona me patent-shofer.
“Ka raste kur kandidati i është nënshtruar provimit në pjesën teorike në vitin 2023 në Prishtinë, ndërsa në dosje figuron që i njëjti kandidat e ka kaluar provimin në vitin 2022 në Pejë.
Po ashtu, nga ato që kemi gjetur një pjesë e madhe e kandidatëve që kanë kaluar provimin nuk kanë qenë fare në Kosovë në atë kohë.
Kemi një rast, kur një ekzaminer është angazhuar vetëm për dy javë në Pejë dhe brenda kësaj periudhe ky ekzaminer i ka kaluar 200 kandidatë në pjesën praktike. Kjo është dukshëm mbi mesataren dhe janë kryesisht kandidatë nga komunat tjera” bëri të ditur zv.ministri Durmishi.
Ai shtoi se lëndet me të gjeturat i kanë dorëzuar në Prokurorinë Themelore në Pejë, ndërsa brenda ministrisë përgjegjësit janë duke ndërmarrë masat administrative ndaj personave që janë të dyshuar për keqpërdorime.
Mes tjerash zëvendësministri Durmishi theksoi se pas përfundimit të hetimeve dhe nëse gjykatat vërtetojnë keqpërdorimet, atëherë ligji e obligon dhe do të ketë anulim të të gjitha këtyre provimeve.
Ndryshe, ditë më parë Ministria e Infrastrukturës ua ka ndërprerë marrëdhënien e punës tre ekzaminerëve të angazhuar në departamentin për patentë shofer.
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, kishte thënë se vendimi është marrë pas informatave për dyshime të bazuara në keqpërdorime të mëdha në procesin e punës.