Zëvendës ambasadorja e ShBA-së, Alyson Grunder ka bërë homazhe te memoriali “Kosova kujton” kushtuar viktimave të 11 shtatorit në ShBA, së bashku me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, si dhe zyrtarë tjerë të shtetit të Kosovës.
Grunder gjatë fjalës së saj ka shprehur mirënjohjen për Kosovën sa i përket solidaritetit në përkujtimin e kësaj ngjarjeje, duke falënderuar krerët institucionalë dhe kryediplomaten Donika Gërvalla.
“Në atë ditë të kobshme të 11 shtatorit të vitit 2001, unë kam qenë në New York duke shërbyer në misionin e Kombeve të Bashkuara, mund të paramendoni se çfarë tronditje ishte për të gjithë ne të cilët e pamë se si është e mundur që një qenie njerëzore të planifikonte sulme aq të urrejtshme, të cilat qëllimin e vetëm e kishin të merrnin sa më shumë jetë”, ka shtuar ajo.
Grunder theksoi se krahas ceremonisë që është mbajtur në Prishtinë, edhe në Pejë po zhvillohet një ceremoni përurimi ku do të bëhet një shtatore me një shtyllë të çmueshme që është dhuruar nga departamenti i zjarrfikësve të New Yorkut dhe është marrë nga njëra prej kullave të qendrës tregtare.
“Ky është vetëm simbol i lidhjeve të forta dhe vlerave që populli i Kosovës dhe i SHBA-së kanë të përbashkëta dhe i ndajmë bashkë. Jemi me fat që kemi një partneritet kaq të qëndrueshëm dhe të fortë me Kosovën”, ka shtuar ajo.
Shtetet e Bashkuara shënojnë të dielën 21-vjetorin e sulmeve më të mëdha terroriste në tokën e tyre.
Si pasojë e këtyre sulmeve kanë vdekur rreth 3.000 njerëz.
Nëntëmbëdhjetë militantë, të lidhur me grupin terrorist Al-Kaida, kanë rrëmbyer katër aeroplanë dhe i kanë përplasur aeroplanët në Kullat Binjake në Nju Jork, në Pentagon pranë Uashingtonit dhe në një fushë në Pensilvani.
Edhe këtë përvjetor, krerët shtetërorë të Kosovës kanë kryer homazhe te pllaka përkujtimore “Kosova kujton” në Prishtinë, e cila nderon viktimat e këtij sulmi.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se pas sulmit të 11 shtatorit, populli i SHBA-së dhe ai i Kosovës, kanë bashkuar forcat për të luftuar terrorizmin.
“I bashkohemi gjithë popullit amerikan për të ndarë dhimbjen për më shumë se 3.000 jetë të humbura në një betejë, e cila edhe një herë u dëshmua se ishte betejë vlerash. Më 11 shtator 2001, shtetasit amerikanë ishin nën një prej sulmeve terroriste më të tmerrshme në historinë e njerëzimit. Por, atë ditë nuk u sulmua vetëm Amerika, u sulmuam të gjithë ne që besojmë në po të njëjtat vlera. Në vlerat e lirisë dhe demokracisë”, ka thënë ajo.
Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është deklaruar pas homazheve.
“Populli i Kosovës qëndron pranë popullit amerikan, dhe SHBA-ja e ka dëshmuar edhe pas sulmeve të 11 shtatorit se është komb i njerëzve të lirë e të barabartë, dhe se nuk bëjnë kompromis me vlerat e tyre”.
Themeluesi i Al-Kaidës, Osama bin Laden, ka qenë në Afganistan në kohën e sulmeve, nën mbrojtjen e talibanëve – islamistëve që kanë qenë në pushtet qysh në vitin 1996.
Kur talibanët kanë refuzuar ta dorëzojnë atë, Shtetet e Bashkuara dhe forcat aleate kanë pushtuar Afganistanin, duke u zotuar se do të mbështesin demokracinë dhe do të eliminojnë kërcënimin terrorist.
Kanë kaluar më shumë se 10 vjet qëkur Osama bin Laden, themeluesi i Al-Kaidës, është vrarë nga forcat speciale amerikane në Abotabad të Pakistanit, por askush nuk është dënuar për ndihmën që i ka ofruar atij në kryerjen e sulmit.
Vetëm një person – Zacarias Moussaoui – është deklaruar fajtor dhe është dënuar me burgim të përjetshëm.


