Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka njoftuar sot se ka miratuar tarifat e reja të energjisë elektrike, të cilat do të zbatohen në gjithë territorin e Kosovës, përfshirë edhe komunat në veri ku operon kompania serbe Elektrosever.
Sipas njoftimit të ZRRE-së, më 16 prill 2025, Bordi i këtij institucioni ka aprovuar tarifat për shfrytëzimin e sistemit të transmetimit, operimit të sistemit dhe operimit të tregut, si dhe tarifat për shfrytëzimin e sistemit të shpërndarjes.
Këto tarifa, thuhet në njoftim, janë të detyrueshme për të gjithë furnizuesit e energjisë elektrike, përfshirë edhe Elektroseverin.
“Rritja e tarifave të energjisë elektrike dhe ndikimi te konsumatorët në veri: Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) njofton opinionin publik se Bordi i ZRRE më 16.04.2025 ka aprovuar edhe Tarifat për Shfrytëzimin e Sistemit të Transmetimit, Operimit të Sistemit dhe Operimit të Tregut, si dhe Tarifat për Shfrytëzimin e Sistemit të Shpërndarjes, të cilat tarifa janë të detyrueshme për të gjithë Furnizuesit e energjisë elektrike në tërë territorin e Republikës së Kosovës, përfshirë edhe Furnizuesin e energjisë elektrike Elektrosever”, thuhet në njoftim.
Sipas ZRRE-së, rritja e tarifave për furnizimin me energji elektrike arrin 16.1% dhe vlen për Furnizuesin me Shërbim Universal, detyrë që aktualisht e ushtron kompania KESCO.
Po ashtu, ZRRE ka rikujtuar se Elektroseveri është furnizues i licencuar për konsumatorët në katër komunat në veri të vendit, duke operuar si furnizues komercial i ndarë nga Furnizuesi me Shërbim Universal.
Megjithatë, më herët gjatë ditës, ZRRE ka bërë të ditur se tarifat e reja do të hyjnë në fuqi nga 1 qershori 2025 në të gjithë territorin e Kosovës, përveç pjesës veriore.
Aty, përmes një marrëveshjeje të arritur në dialogun Kosovë-Serbi në vitin 2022, Elektrosever ka marrë përsipër furnizimin dhe faturimin e konsumatorëve, duke vepruar jashtë sistemit të Furnizuesit me Shërbim Universal