Zjarret që kanë përfshirë fshatrat Kutlloc dhe Bajgor kanë mobilizuar ekipet e zjarrfikësve, ekipet përgjegjëse dhe vullnetarët, të cilët po punojnë për shuarjen e flakëve dhe parandalimin e përhapjes së tyre.
Në terren iu është bashkuar edhe nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Enis Osmani, i cili së bashku me ekipet e zjarrfikësve po angazhohet drejtpërdrejt në përpjekjet për shuarjen e zjarreve.
Ndërhyrja po vazhdon me të gjitha kapacitetet, me qëllim që situata të vihet nën kontroll dhe zjarri të mos përhapet në zona të tjera.
Osmani ka apeluar te qytetarët për kujdes të shtuar gjatë këtyre ditëve me temperatura të larta dhe ka kërkuar që të shmanget çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr.
Qytetarët që vërejnë ndonjë vatër zjarri apo situatë që mund të rrezikojë përhapjen e tij, mund të njoftojnë menjëherë ekipet përgjegjëse në numrin +383 28 530 129.

