Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se në takimin e sotëm me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë – Beograd, Miroslav Lajçak, nuk kanë diskutuar për draftin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pasi siç ka thënë Bislimi, pozicioni i Kosovës është bërë i qartë që më 26 tetor nga kryeministri Albin Kurti në takim me liderët evropianë.
Kryenegociatori i Kosovës dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq, u takuan veç e veç me Lajçakun gjatë ditës së sotme në Bruksel.
Në një prononcim pas përfundimit të takimit, Bislimi ka thënë se pa u nënshkruar të tri marrëveshjet, nuk do të fillojë puna për formimin e Asociacionit.
“Në agjendë ka qenë si pikë [diskutimi për draftin e Asociacionit]. I kemi treguar Lajçakut se kemi pozicion të qartë siç e ka dhënë kryeministri më 26 tetor. Jemi të gatshëm ta pranojmë dokumentin në plotëni, të nënshkruajmë së bashku me dy dokumentat tjera. S’kemi pasur nevojë për sqarime shtesë nga ana e BE-së, prandaj edhe s’kemi diskutuar. Drafti që i është sjell Kosovës ka pasur kujdes të shtuar për Kushtetutën e Kosovës. Por a është në haromi të plotë, do ta vendosë Gjykata Kushtetuese. Nuk mund të nisë puna pa nënshkrim, pasi duhet garanca që kemi marrëveshje valide e cila pastaj krijon obligime edhe për palën tjetër”, ka thënë Bislimi.
Zëvendëskryeministri i Kosovës ka vlerësuar se pika më e rëndësishme e takimit të sotëm ka qenë diskutimi për finalizimin e draftit të sekuencimit të marrëveshjes bazike të 17 shkurtit dhe aneksit të 18 marsit.
“Drafti i ri e fut për herë të parë paralelizmin e plotë në zbatimin e marrëveshjes apo zbatimit më të balancuar dhe ne jemi përpjekur që këtë draft t’i japim komentet finale në mënyrë që të jetë i pranueshëmn për palën tonë. Mendoj se ka pasur një gatishmëri nga Lajçaku që t’i akomodojë propozimet tona sepse janë argumentuar mirë në detaje. Do t’i dërgojmë sot komentet në formë të shkruar dhe inkorporuar në draftin e tij për të ecur tutje”, ka thënë ai.