Presidenti amerikan, Donald Trump dhe kryeministri britanik, Keir Starmer njoftuan se është arritur një marrëveshje tregtare.
Trump, në daljen e tij të parë për mediat pas arritjes së marrëveshjes, theksoi se bëhet fjalë për marrëveshjen e parë “të ndershme, të hapur dhe reciproke” që do t’u sjellë përfitime prodhuesve amerikanë të mishit, etanolit dhe eksportuesve të tjerë.
Kryeministri britanik e quajti këtë ditë si të jashtëzakonshme dhe historike.
“Kjo është një marrëveshje që do t’i mbrojë ndërmarrjet britanike dhe do të shpëtojë mijëra vende pune në Mbretërinë e Bashkuar – vende pune me të vërtetë të rëndësishme, të kualifikuara dhe të paguara mirë. Do të heqë tarifat për çelikun dhe aluminin britanik, duke i reduktuar ato në zero. Do të ofrojë garanci thelbësore për sektorin tonë të shkencave natyrore, i cili është jashtëzakonisht i rëndësishëm për ekonominë tonë, dhe do t’u mundësojë fermerëve britanikë një qasje të paparë në treg, pa rrezikuar standardet tona të larta”, deklaroi Starmer.
Ai theksoi se marrëveshja do të nxisë punësimin dhe tregtinë në të dy anët e Atlantikut, shkruan cnn.
Në marrëveshje thuhet se nuk do të ketë tarifa për motorët dhe pjesët e Rolls-Royce të destinuara për aeroplanë.
Përveç kësaj, 100 mijë automjete britanike në vit do të eksportohen në SHBA me ruajtjen e tarifës fillestare prej 10 për qind.
Do të mundësohet një procedurë e shpejtë doganore për eksportuesit amerikanë, pa pengesa burokratike.
Është rënë dakord edhe për një qasje të hapur për produktet bujqësore amerikane, përfshirë mishin e viçit dhe etanolin.
Marrëveshja përfshin edhe produktet kimike amerikane.
Vlerësimi është se eksportuesit amerikanë do të përfitojnë edhe pesë miliardë dollarë shtesë, ndërsa tarifa ekzistuese prej 10 për qind do të gjenerojë edhe gjashtë miliardë dollarë të ardhura për SHBA-në, tha ministri amerikan i tregtisë, Howard Lutnick.