Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari gjatë protestës së sotme të veteranëve e ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se po tenton ta kthejë Serbinë në Kosovë.
Jashari bëri bëri këtë deklaratë gjatë kohgës sa disa veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë protestuar sot në oborrin e Kuvendit të Kosovës, teksa disa herë kanë tentuar që me forcë të hyjnë brenda objektit të Kuvendit.
Jashari ka kërkuar që Projektligji për pagën minimale të kthehet në pikën zero dhe të fillojë diskutimi me veteranët, në mënyrë që bëjnë një projektligj të pranueshëm edhe për ta.
Ai edhe njëherë ka kërkuar që mos të votohet ky projektligj, për të cilin thotë se është diskriminues për kategoritë e luftës së UÇK-së.
“Partitë politike të mos marrin vendim që të bëjnë këtë të keqe kaq të madhe vendit duke pretenduar dhe duke synuar t’i largojnë veteranët nga benefitet e tyre. E dimë që edhe në partinë e pushtetit ka deputetë që kanë dhënë shumë për të ardhur këtu për lirinë e vendit, kemi deputetë që janë të burgosur politikë, kemi që janë pjesë e luftës së lavdishme të UÇK-së. Nëse biem në nivelin e një kryeministri i cili duhet të dal para nesh, duhet të dal para çdo shtrese e kategorie dhe të tregojë se ku e ka problemin me vlerat më kulmore të kombit shqiptar, në të kundërtën ata që bien pre e një kryeministri të tillë dhe votojnë një ligj të tillë ku përjashtohet kategoria më e ndritur veteranët e luftës, i bëhen krahë një kryeministri që ne dyshojmë që ai bënë përpjekje ta kthejë Serbinë në Kosovë”, tha Jashari.
Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me fillimin e protestës së sotme kanë hyrë me forcë në oborrin e Kuvendit të Kosovës, me ç’rast kanë gjuajtur gjësende në derën e institucionit.
Si pasojë e shtyrjeve dhe gjuajtjeve me gjësende janë lënduar edhe dy pjesëtar të Policisë së Kosovës, si dhe një protestues.
Pamjet e bëra nga KosovaNews tregojnë një polic të gjakosur, i cili shoqërohet nga kolegët për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.