Lëvizja Vetëvendosje, dega në Prizren, ka reaguar ndaj ndërtimeve të shumta pa leje në komunën e Prizrenit. Sipas VV-së, në qeverisjen e PDK-së dhe kryetarit Shaqir Totaj në komunën e Prizrenit ndërtimet pa leje tashmë janë bërë trend i ri pothuajse në secilën lagje të qytetit.
Sipas tyre, Komuna e Prizrenit, përkatësisht Drejtoria e Inspektoriatit, po tregohet e pafuqishme që të intervenojë në rrënimin e kësaj pjese të ndërtuar pa leje në një ndërtesë kolektive në lagjen Ortakoll.
“NDËRTIMET PA LEJE TREND I RI NË KOMUNËN E PRIZRENIT
Në qeverisjen e PDK-së dhe kryetarit Shaqir Totaj, në Komunën e Prizrenit ndërtimet pa leje tashmë janë bërë trend i ri pothuajse në secilën lagje të qytetit.
Siç e shohim në foto, Komuna e Prizrenit, përkatësisht Drejtoria e Inspektoriatit po tregohet e pafuqishme që të intervenojë në rrënimin e kësaj pjese të ndërtuar pa leje në një ndërtesë kolektive në lagjen Ortakoll”, thuhet në reagimin e VV-së.
Sipas VV-së, edhe pse kohë më parë ky rast është raportuar në mediat lokale dhe nacionale, institucionet përkatëse ende nuk kanë bërë ndonjë veprim konkret në rrënimin e aneksit të ndërtuar pa leje.
Ngjajshëm sikurse në lagjen Ortakoll, edhe në lagje të tjera të qytetit të Prizrenit, po lulzojnë ndërtimet pa leje, me ose pa pëlqimin e kryetarit të komunës, por është e faktike se po ndërtohen jashtëligjshëm përpara syve të institucioneve komunale, të cilat me mosveprimin e tyre çdo ditë e më shumë po e dëshmojnë se ju mungon guximi dhe përgjegjësia për të vepruar përballë ndërtuesve të ndërtimeve pa leje.
Reagimit ia ka bashkangjitur edhe fotot e ndërtimit nga Lëvizja VETËVENDOSJE, Qendra në Prizren.


