Një krim makabër ka tronditur Argjentinën: tortura dhe vrasja e dy grave të reja dhe një vajze adoleshente, e transmetuar drejtpërdrejt në rrjetet sociale për dhjetëra persona. Ngjarja ka shkaktuar zemërim dhe protesta në mbarë vendin.
Mijëra qytetarë dolën në rrugë këtë fundjavë për të kërkuar drejtësi për viktimat — kushërirat Morena Verri dhe Brenda del Castillo, të dyja 20 vjeç, si dhe Lara Gutiérrez, 15 vjeç — trupat e të cilave u gjetën të varrosura në një periferi të Buenos Airesit të mërkurën
Hetuesit dyshojnë se tre vajzat janë vrarë pesë ditë më parë pas një përplasjeje me një bandë droge. Sipas ministrit të Sigurisë të provincës së Buenos Airesit, Javier Alonso, tortura dhe vrasja e tyre u transmetua drejtpërdrejt përmes një grupi privat në rrjetet sociale, ku ishin të pranishëm rreth 45 persona.
Guvernatori i Buenos Airesit, Axel Kicillof, deklaroi të hënën se janë arrestuar gjashtë persona dhe e përshkroi rastin si një “narko-femicid”. Hetuesit janë ende në kërkim të gjashtë të dyshuarve të tjerë.
Autoritetet besojnë se gratë u mashtruan për të shkuar në një shtëpi në zonën Florencio Varela, rreth 25 kilometra në jug të kryeqytetit, me premtimin se do të merrnin pjesë në një festë. Por aty u përballën me anëtarët e bandës, të cilët i akuzuan për vjedhje droge.
Pamjet e tmerrshme të vrasjes përfshijnë edhe zërin e njërit prej autorëve që dëgjohet duke thënë:
“Kjo është ajo që i ndodh kujtdo që më vjedh drogë.”
Sipas autoriteteve, viktimat mund të kenë qenë të njohura më herët me grupin e krimit, dhe motivi i mundshëm është hakmarrja.
Ndërkohë, organizatat feministe kanë reaguar ashpër, duke e quajtur rastin një tjetër dëshmi të dhunës sistematike ndaj grave në Argjentinë. Në protestat e mbajtura, shumë pankarta mbanin mesazhe si “Ndalo së na vrari” dhe “Asnjë më pak”.
Sipas të dhënave të organizatës “Casa del Encuentro”, gjatë tetë muajve të parë të vitit 2025 janë vrarë 164 gra në Argjentinë.


