Në orët e para të mëngjesit të sotëm në një lokal nate në Prizren ka pasur të shtëna me armë zjarri, si pasojë e të cilave ka ndërruar jetë një person ndërsa një tjetër është plagosur. Të dy viktimat janë nga Kukësi, ndërsa dorasi dyshohet të jetë pronari i lokalit D.H, i cili aktualisht është duke u intervistuar në stacionin policor në Prizren.
Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i policisë rajonale të Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili ka thënë se duke u intervistuar përveç pronarit të lokalit janë edhe pjesëtarët e stafit si dhe dëshmitarët okularë.
Mësohet se bëhet fjalë për lokalin “Kobra City”, i cili ndodhet në dalje të Prizrenit.
“Po intervistohet stafi i lokalit ku ka ndodhur rasti dhe dëshmitarët okularë. Po ashtu, po intervistohet edhe pronari i lokalit si i dyshuar”, ka thënë Bytyqi.
Lajmi për rastin fillimisht është bërë i ditur nga Policia e Shtetit në Shqipëri. Në njoftimin për media u bë e ditur se viktima që përfundoi me fatalitet është 31-vjeçari me iniacialet V. C., ndërsa i plagosuri është R. Sh., 27 vjeç, të dy nga Kukësi.
Konflikti i nisur fillimisht në lokal ka vazhduar në rrugë ku viktima së bashku me tre miqtë e tij, duke u larguar me makinë është qëlluar me armë.
Ai ka humbur jetën rrugës për në spital, ndërsa është plagosur dhe një tjetër.
Njoftimi i plotë nga Policia e Shqipërisë:
Kukës/Informacion paraprak.
Në Morinë, rreth orës 04:25, të mëngjesit, kanë hyrë për në drejtim të spitalit rajonal të Kukësit, shtetasit V. C., 31 vjec, dhe R. Sh., 27 vjeç, që transportoheshin me automjet nga shtetasi A . B., të tre nga Kukësi, ku shtetasit V. C., dhe R. SH , ishin të plagosur me armë zjarri në Prizren të Kosovës.
Si pasojë e plagëve të marra shtetasi V. C., ka ndërruar jetë gjatë rrugës, ndërsa shtetasi R. Sh., ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
Në lidhjen me ngjarjen, menjëherë nga DVP Kukës është ngritur grupi hetimor i cili po kryen veprimet procedurale për llogari të Policisë së Kosovës.
Nga deklarimet e para të shtetasit të plagosur dhe shtetasit A. B., që i ka transportuar për në spital, dyshohet se ngjarja ka ndodhur në dalje të Prizrenit, ku pas një konflikti në një lokal nate me disa shtetas kosovar.
Në momentin që shtetasit V.C., R.Sh dhe A.B, po largoheshin me automjet, dyshohet se shtetasi D. H, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të tyre.
Në lidhje me ngjarjen është komunikuar me Policinë kosovare dhe vijon shkëmbimi i informacionit.
Grupi hetimor vijon veprimet procedurale për llogari të Policisë së Kosovës, për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.


