Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se gjatë kontrollit rutinor dhe bastisjes së një vizitori në Qendrën Korrektuese të Dubravës, kanë parandaluar një rast të tentimit për të futur kontrabandë brenda institucionit korrektues.
Gjatë kontrollit të detajuar, te vizitori janë gjetur të kamufluara në trup dy telefona mobilë, një kartelë SIM dhe dy kabllo mbushëse, të cilat janë konfiskuar menjëherë nga zyrtarët korrektues.
“Pas zbulimit të rastit, vizita është anuluar, ndërsa ndaj personit në fjalë janë ndërmarrë procedurat e mëtejshme konform legjislacionit dhe rregullave në fuqi. Shërbimi Korrektues i Kosovës mbetet i përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe ruajtjen e rendit, sigurisë dhe integritetit brenda institucioneve korrektuese”, ka njoftuar SHKK.



