Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka ngritur aktakuzë ndaj dy të pandehurve me inicialet D.N dhe E.Q.
Sipas aktakuzës, të pandehurit në cilësi të personave zyrtar si inspektor të ATK-së, në dy raste të ndryshme gjatë vitit 2022 në Gjakovë, kanë kërkuar dhe pranuar ryshfet nga pronarë biznesesh, me qëllim që të mos veprojnë në përputhje me detyrat e tyre zyrtare.
Sipas aktakuzës, në të dy rastet, të pandehurit në bashkëveprim kanë kërkuar dhe pranuar shumën prej 300 eurosh, për secilin rast.
“Me këto veprime, të pandehurit D.N. dhe E.Q., në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi, kanë kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, nga neni 421, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 dhe nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale që u vihet në barrë, si dhe t’u shqiptohet dënimi plotësues – ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik”, ka njoftuar Prokuroria.



