Andreas Schider, anëtar i misionit të Parlamentit Evropian që i vëzhgoi zgjedhjet e 17 dhjetorit në Serbi, thotë se këto zgjedhje u karakterizuan me parregullsi të shumta.
“Kam vëzhguar shumë zgjedhje, por ato të mbajtura në Serbi ishin larg çdo standardi evropian”, tha deputeti social-demokrat për N1.
Ai tutje kërkoi një hetim ndërkombëtar për këto zgjedhje, ose së paku, përsëritje të zgjedhjeve në Beograd me kushte të reja.
“Ne pamë sërish fletëvotime fantazmë, dëgjuam se në Beograd u sollën 50 mijë njerëz, pamë fotografi në rrjetet sociale, njerëzit fotografuan fletët e votimit, kishim dëshmi për blerje votash”, tha eurodeputeti.
Ai shtoi se vëzhguesit e huaj ishin të informuar para zgjedhjeve nga misioni parazgjedhor se kushtet nuk ishin të barabarta, se presidenti Aleksandër Vuçiq dhe Partia e tij Progresive Serbe ishin të përfaqësuar në mënyrë disproporcionale në mediat shtetërore, ndërkohë që opozita kishte akses të kufizuar, si dhe fakti që njerëzit silleshin në zgjedhje nga jashtë.
Schider shprehu besimin e tij se të paktën në zgjedhjet në Beograd, rezultati do të ishte ndryshe nëse zgjedhjet do të ishin organizuar më mirë dhe do të kishte pasur më pak mashtrime.
“Së pari, më lejoni të jem i qartë, kjo nuk është në përputhje me standardet evropiane, kjo është larg çdo standardi. Kam vëzhguar shumë zgjedhje, këto janë larg standardeve me të cilat jemi mësuar. Ata që kanë pushtet dhe kontroll mbi këto zgjedhje po bëjnë punë të keqe dhe nuk po punojnë në interes të vendit të tyre”, tha Shider.


