Edhe dy partitë politike që janë në qeverisje, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia GUXIO përmes reagimeve të tyre kanë dënuar ashpër sulmin e kryer ndaj Policisë së shtetit të Kosovës nga i cili ka mbetur i vrarë një polic.
Reagimi i plotë nga Lëvizja Vetëvendosje:
Sot, u zgjuam me lajmin e rëndë se një sulmi terrorist u krye ndaj Policisë së Kosovës nga strukturat kriminale që drejtohen nga institucionet e Serbisë.
Gjatë këtij sulmi u vra Rreshteri Afrim Bunjaku dhe u plagosë Polici Alban Reshiti.
Lëvizja VETËVENDOSJE! dënon këtë sulm terrorist ndaj Policisë së Kosovës dhe kërkon nga institucionet ligjzbatuese që përgjegjësit të vihen sa më parë para drejtësisë.
Ky sulm terrorist dëfton për përpjekjet e dëshpëruara, qëllimet kriminale, objektivin destabilizues të strukturave të drejtuara nga Serbia pasi që ato tash e një kohë nuk kanë më hapësirë të lirë veprimi në katër Komunat në veri të vendit tonë.
Shtatë bazat e reja policore, kontrolli mbi Liqenin e Ujmanit, mbyllja e rrugëve të kontrabandës, arrestimi i kriminelëve nga këto struktura, arrestimi i kriminelëve të luftës ia kanë destabilizuar qetësinë rrjetit kriminal Vuçiqit dhe aparatit që kanë ndërtuar për të destabilizuar Kosovën she jetën e qytetarëve të saj.
Ky sulm terrorist është padyshim cenim i drejtpërdrejtë ndaj rendit kushtetues e ndaj institucioneve të Kosovës që ushtrojnë mandatin e tyre për rend dhe ligj. Presim që të gjithë që institucionet e drejtësisë të veprojnë pa vonesë në përputhje me lartësinë e detyrës që bartin.
Lëvizja VETËVENDOSJE! i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së policit të rënë sot në detyrë, në mbrojtje të Republikës së Kosovës, Rreshter Afrim Bunjaku!
Ne i urojmë Alban Reshitajt, policit të plagosur shërim të plotë e kthim sa më të shpejtë në detyrë.
Lëvizja VETËVENDOSJE! bën thirrje për mbështetje të parezervë për Policinë e Kosovës dhe të gjithë institucionet që janë në krye të detyrës në mbrojtje të rendit dhe ligjit, sovraniteti dhe integritetit territorial të Kosovës.
Reagimi i plotë nga Partia GUXO:
Partia GUXO dënon me forcë sulmin terrorist të formacioneve terroriste serbe mbi Policinë e Kosovës. Sulmi ishte një pritë e planifikuar dhe organizuar nga terroristë të uniformuar serbë, me ç’rast u vra një polic i Kosovës dhe plagos një tjetër.
Se ky sulm terrorist është i inicuar, i planifikuar, i organizuar dhe i ekzekutuar nga shteti serb, e dëshmon edhe arsenali i armatimit të rëndë ushtarak dhe paralajmërimet e bëra nga Vuçiq dhe terroristët përreth tij.
Partia GUXO kërkon nga bashkësia ndërkombëtare që ta dënojnë ashpër këtë inkursion të formacioneve terroriste serbe të Beogradit brenda territorit të Kosovës dhe sulmin mbi Policinë e Kosovës që kryen detyrat e veta ligjore e kushtetuese. Tashmë, e gjithë bashkësia ndërkombëtare duhet ta kenë qartë se kush do të nisë edhe një luftë të re në Ballkan.
Duke qenë se formacioni terrorist ka zënë pritë dhe është pozicionuar në Manastirin e Banjskës, kjo edhe një herë katërcipërisht vërtetoi se objektet e kishave serbe po përdoren si vend strehimi dhe grumbullimi të bandave kriminale të Beogradit.
Familjes së policit të vrarë i shprehim ngushëllimet tona më të thella ndërsa policit tjetër i urojmë shërim të shpejtë e të plotë.



