Vera e vitit 2025 është nën ritmin e Dua Lipës, e cila po elektrizon skenat më të mëdha të botës me turneun e saj “Radical Optimism”.
Pas koncerteve në Australi dhe Evropën kontinentale, ylli me origjinë shqiptare është kthyer në Britaninë e Madhe, ku mbajti një performancë madhështore në Wembley Stadium në Londër, përpara se të niset për në Liverpool e më pas në Dublin.
Në këtë etapë të re të karrierës, Dua ka përfshirë në list hitet e reja si “Training Season” dhe “Houdini”, krahas këngëve që e bënë të famshme globalisht si “One Kiss” dhe “Be The One”.

Mbrëmjet e saj janë më shumë se koncerte – janë spektakël total, ku muzika, moda dhe skena bashkohen në mënyrë unike.
Një nga momentet më të komentuar ishte kur Dua ftoi në skenë Charli XCX, për të performuar një këngë nga albumi i saj “Brat”, duke surprizuar publikun me këtë bashkëpunim të papritur.
Por përveç muzikës, vëmendje të madhe kanë marrë edhe veshjet ikonike të këngëtares.
Në natën e parë në Wembley, ajo shkëlqeu me një kostum të personalizuar nga Swarovski, krijuar nga drejtoresha kreative Giovanna Engelbert. Trupi i saj ishte i mbuluar me rrjetë kristalesh dhe një sërë detajesh të qëndisura me kujdes, përfshirë sutjena me kristale dhe bizhuteri të rënda.
Pamja u plotësua me çizme gjysmë të gjata me shkëlqim nga Christian Louboutin dhe një pallto me gëzof me vija brenda që rikujtonin flamurin britanik – një nderim ndaj rrënjëve të saj në Mbretërinë e Bashkuar.
Turneu “Radical Optimism” nuk është thjesht një rikthim në skenë për Dua Lipën – është një deklaratë force artistike dhe stili, që e ngre standardin për performancat live të muzikës pop në nivel global. /Telegrafi/
