Ka ndërruar jetë Zojë Rexha, gruaja e cila jetoi gjithë këto vite me kujtimet e trishta për burrin e saj të vrarë nga serbët dhe për djalin, i cili për një kohë ishte lajmëruar si i pagjetur, për t’iu kthyer nënës së tij në arkivol në vitin 2011.
Lajmim për vdekjen e Zojës e ka dhënë në rrjetin social deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ardian Gola, i cili ka shkruar edhe disa fjalë prekëse për shkuarjen në amshim të gruas që vuajti shumë.
“Lamtumire Zojë e popullit të Kosovës! Rrallë here ndodh të përputhet emri me historikun dhe karakterin e njeriut. Kjo ndodhi me ty, që përpos emrit, edhe qëndrimin edhe qëndresën e kishe të tillë. Pra, Zojë. Heshtja jote tashmë ka vrarë ndërgjegjen e secilit serb, në emër të të cilëve Serbia t’i mori nga jeta burrin dhe djalin e vetëm që kishe”, ka shkruar Gola.
Tutje duke iu referuar gjithë asaj që ka përjetuar Zoja, Gola thotë se ajo do të jehon fuqishëm në harresën tonë kolektive për të evokuar këmbëngulshëm se në këtë vend Serbia ka kryer krimet më çnjerëzore të mundshme.
“Ofshamat tua do të jehojnë si britmë e fuqishme për platformimin e munguar politik të vuajtjes së popullit shqiptar. Rrudhat e fytyrës tënde janë rreshtat e pambarim, përmes të cilave historia ka shkruar vuajtjet e popullit te Kosovës. Vdekja i dha fund vuajtjeve tua, por të përjetësoi në histori si qëndresë e pathyer e shpresës”./KosovaNews/



