Portieri i Kombëtares të futbollit të Malit të Zi, Matija Sharkiq, ka ndërruar jetë në Budva në moshën 27-vjeçare, transmeton Radio Televizioni i Malit të Zi.
Siç mëson RTCG, portieri i kombëtares malazeze ka ndjerë shqetësim në banesën e tij në Budva, miqtë e tij kanë lajmëruar menjëherë ambulancën, por fatkeqësisht nuk ka pasur asnjë ndihmë për të. Dhjetë ditë më parë Sarkiq gëzoi publikun malazez me mbrojtjet e tij të shkëlqyera në ndeshjen kundër Belgjikës, dhe u duk se malazezët siguruan një portier tejet cilësor për dekadën e ardhshëm. Sipas RTCG-së, policia ndodhet në vendngjarje dhe po i heton të gjitha rrethanat, por me shumë gjasa bëhet fjalë për vdekje natyrale.
Siç mëson jozyrtarisht RTCG, Sharkiq ka shkuar mbrëmë për një shëtitje me miqtë në Budva, ka ngrënë darkë në një restorant dhe është kthyer herët në banesën e tij.
Kur u ngrit rreth orës 6 të mëngjesit të sotëm, u ankua se ishte sëmurë, për këtë arsye miqtë e tij thirrën ambulancën, por ishte vonë.
Matija Sharkiq ka lindur në qytetin anglez Grimsby. Ai është djali i Bojan Sharkiq, një diplomat malazez, dhe një nënë angleze, Natalie Todd, e cila punon për Rrjetin Evropian të Mediave.
Ai e filloi karrierën e tij në futboll në kategoritë e të rinjve të Anderlecht-it belg, por shpejt kaloi në Aston Villa.
Ai ishte një futbollist i klubeve të njohura nga Birmingham dhe Wolverhampton, por ai shpesh shkonte në huazim në ekipe nga rangjet e ulëta të futbollit anglez.
Këtë sezon ai u bë portieri i parë i Millwall-it dhe ishte një nga lojtarët më të mirë të “luanëve”, duke e mbajtur portën të pastër në tre ndeshjet e fundit në Championship.


