Një person ka humbur jetën mbrëmjen e së martës në fshatin Bajnicë të Kaçanikut, pasi kishte rënë në një pus (bunar) që ndodhet në oborrin e shkollës së fshatit.
Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka ndodhur më 10.02.2026, rreth orës 20:40, kur është pranuar informata se një mashkull, 59 vjeç, kishte rënë në pus.
“Njësitë relevante policore, së bashku me njësinë e zjarrfikësve, kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes. Mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës, mashkull Kosovar”, thuhet në raportin policor.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, ndërsa rasti është iniciuar si “Vdekje e dyshimtë” dhe mbetet në procedurë hetimore.


