Njësia rajonale e komunikacionit rrugor në Pejë, vazhdon me planin operativ “Kontroll i shtuar në trafik II”, plan i cili ka të angazhuar maksimalisht ekipet patrulluese të kësaj njësie.
Në një njoftim për media Policia e Kosovës thekson se në vazhdimësi në rrugët rajonale dhe nacionale janë duke patrulluar dhe duke ndaluar automjete për shkelje të ligjit për rregullim të komunikacionit, dhe ndaj vozitësve të këtyre veturave kanë lëshuar fletë gjoba për vozitje të rrezikshme, tejkalim kolone dhe tejkalim në vijë të plotë.
“Këto veprime policore janë ndërmarr me datën 17 dhe 18.05.2023 në rrugën Pejë-Prishtinë, dhe përveç fletë gjobave gjithashtu i është caktuar edhe masa mbrojtëse (konfiskim të patentë shoferit në afate të caktuara)”, thuhet në njoftim.
Njësia rajonale e komunikacionit rrugor në Pejë, ka bërë apel te qytetarët e vendit gjegjësisht te vozitësit e automjeteve që të respektojnë shenjat dhe të kenë kujdesin maksimal gjatë vozitjes së veturave të tyre sepse me ketë ruajnë jetën e tyre, të familjarëve dhe të qytetarëve tjerë.


