Një tragjedi e rëndë ka goditur qytetin e Grazit në Austri, ku një sulm me armë zjarri në një shkollë të mesme ka lënë të paktën 10 persona të vdekur, përfshirë autorin e krimit.
Ndër viktimat fatkeqësisht është edhe një vajzë nga Kosova.
Lajmin për përfshirjen e një shtetaseje kosovare në mesin e viktimave e ka konfirmuar gazetari kosovar Vehbi Haliti, i cili jeton dhe vepron në Graz.
Në një prononcim për Frontal të T7, Haliti tha se vajza ishte bija e një anëtari të kryesisë së Unionit Humanitar në Graz.
“Fatkeqësisht po them se është e saktë. Është një vajzë e një aktivisti tonë këtu në Graz. Është një tragjedi ndër më të mëdhatë në Austri pas Luftës së Dytë Botërore, sa i përket tragjedive të qëllimshme,” deklaroi Haliti, duke shtuar se për arsye privatësie nuk do të publikonte identitetin e viktimës.
Ministri i Brendshëm i Austrisë, Gerhard Karner, konfirmoi se autori i sulmit ishte një 21-vjeçar, ish-nxënës i shkollës, i cili e kishte lënë shkollën pa e përfunduar.
Pas kryerjes së masakrës, ai kreu vetëvrasje në vendin e ngjarjes.
Përveç viktimave, 12 persona të tjerë janë plagosur, disa prej tyre në gjendje të rëndë. Hetimet për zbardhjen e plotë të motivit të sulmit janë ende në zhvillim.
Në shenjë zie, kancelari austriak Christian Stocker ka shpallur tre ditë zie kombëtare, ndërsa nesër në orën 10:00 pritet të mbahet një minutë heshtje në të gjithë vendin.
Lidhur me këtë tragjedi ka reaguar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
“Shkollat duhet të jenë vend ku fëmijët ëndërrojnë, mësojnë e rriten, e jo vend i dhunës dhe terrorit,” shkroi ajo.
Graz është qyteti i dytë më i madh në Austri dhe numëron rreth 300 mijë banorë.
Ngjarja ka tronditur jo vetëm Austrinë, por edhe komunitetin kosovar që jeton atje dhe më gjerë.