Uta Ibrahimi – Gruaja nga Kosova që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e alpinizmit
Ishte një shëtitje e zakonshme në bjeshkët e Kosovës që ndezi një pasion të jashtëzakonshëm. Ashtu nisi gjithçka për Uta Ibrahimin, alpinisten nga Kosova, e cila sot ka hyrë në historinë botërore të alpinizmit duke u bërë personi i parë nga Ballkani dhe gruaja e parë shqiptare që ka ngjitur të gjitha 14 majat më të larta në botë, të njohura si “tetëmijëshat”.
Ky sukses kulmoi më 10 maj të vitit 2025, me ngjitjen e saj të fundit në Kangchenjunga (8,586 m), maja e tretë më e lartë në botë. Një sfidë që do të përmbyllte projektin “Utalaya 14×8000”, një përpjekje shumëvjeçare që kërkonte jo vetëm përgatitje fizike dhe psikologjike, por edhe përkushtim ekstrem ndaj qëllimit.
Uta e nisi rrugëtimin e saj në alpinizmin ndërkombëtar më 22 maj 2017, kur ngjiti majën e Everestit (8,848 m), duke bërë histori si gruaja e parë shqiptare që arrinte kulmin e botës. Por kjo ishte vetëm maja e parë e një rrugëtimi të jashtëzakonshëm, që përfshinte majat më të frikshme të Himalajeve dhe Karakoramit — si K2, Annapurna, Nanga Parbat, Lhotse dhe Broad Peak — ku çdo hap përpara mund të ishte i fundit.

Vetëm një numër shumë i vogël grash në botë kanë arritur të ngjisin të gjitha këto 14 maja. Sipas të dhënave të fundit nga viti 2024, vetëm tetë gra e kishin përfunduar këtë sfidë. Arritja e Utës e vendos atë në një grup jashtëzakonisht të vogël alpinistësh në nivel global — dhe e bën atë një nga emrat më të mëdhenj që ka njohur ndonjëherë Alpinizmi në Ballkan.
Por Uta Ibrahimi nuk është vetëm alpiniste. Ajo është një zë i fuqishëm për barazinë gjinore, një aktiviste për të rinjtë dhe një avokuese e përkushtuar për mbrojtjen e natyrës. Përmes Fondacionit “Utalaya” dhe angazhimit të saj si Kampione e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, ajo ka ndikuar drejtpërdrejt në jetën e mijëra të rinjve në Kosovë dhe rajon, duke i motivuar të mendojnë më larg se kufijtë që iu imponohen.
“Çdo majë është më shumë se një sfidë fizike. Është një mesazh për çdo vajzë e grua që ndjen se nuk i takon një bote të ndërtuar për të tjerët. Është një dëshmi se ëndrrat nuk kanë nevojë për leje”, ka deklaruar Uta, para se të niste rrugëtimin e saj për kulmin e fundit të botës ku ajo do të shënonte histori.
Për Kosovën dhe gjithë Ballkanin, suksesi i Utës nuk është thjesht një rekord në Alpnizëm— është një dritë në horizont që tregon se edhe nga skajet më të vogla të hartës mund të nisen udhëtime të mëdha. Ajo nuk u ngjit vetëm për veten, por për të hapur shtigje të reja për të tjerët. Uta ka treguar se guximi nuk njeh kufij, se një zemër e madhe mund të përballojë edhe majat më të egra, dhe se suksesi nuk ka vlerë të plotë nëse nuk shndërrohet në frymëzim për të tjerët. Ajo nuk ndërtoi thjesht rekorde — ndërtoi modele për brezat që vijnë.