Ushtarët e Brigadës së 13-të të Gardës Kombëtare të Ukrainës, të njohur si “Khartija”, kapën një ushtar rus duke përdorur një dron FPV (me pamje të parë), gjatë një operacioni në të cilin ushtari rus hodhi armën dhe sinjalizoi dorëzimin e tij.
Në videon e publikuar nga njësia, shihet se si ushtari rus vëren dronin FPV që i afrohet. Ai hedh armën dhe sinjalizon synimin për t’u dorëzuar.
Ushtarët e brigadës Khartija më pas e nxorën nga rreshti i pemëve duke përdorur një dron të dytë, i cili e ndoqi me kamerë lëvizjen e ushtarit rus të kapur.
Mbikëqyrjen e të kapurit më pas e mori një dron i tipit Mavic, i cili vazhdoi të ndjekë dorëzimin. Kjo nuk është hera e parë që ushtarë rusë dorëzohen përpara dronëve ukrainas.
Nga brigada Khartija theksojnë se zakonisht ushtarët reagojnë ndaj dronëve të tipit DJI Mavic apo modele të ngjashme, dhe jo ndaj dronëve FPV, çka e bën këtë rast të pazakontë.
Një ngjarje e ngjashme ndodhi në vitin 2024 në vijën e frontit në Harkiv, kur ushtarët e brigadës Khartija gjetën një ushtar rus të plagosur, të cilin e kishte braktisur njësia e tij.
Një dron ukrainas i hodhi ujë dhe një mesazh me udhëzime për dorëzim. Piloti i dronit më pas e udhëzoi ushtarin drejt një vendi të sigurt, ku forcat ukrainase e morën në kujdes dhe e trajtuan. Ushtarit të kapur iu dha ujë, iu ofrua ndihmë mjekësore dhe u evakuua me një automjet të blinduar të tipit Oncilla.