Ushtarakët e Kosovës, si gjithmonë edhe sot e kanë vazhduar traditën e dhurimit vullnetar të gjakut në mbështetje të Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut.
Në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës është duke u realizuar aksioni tradicional humanitar i dhurimit vullnetar të gjakut, i cili po realizohet sipas traditës, për të dytën herë me radhë gjatë këtij viti.
Aksionit vullnetar të dhurimit të gjakut edhe kësaj radhë i janë përgjigjur numër i konsiderueshëm i dhuruesve të gjakut nga pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, me qëllim që ti dalin në ndihmë Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut dhe gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.
“Aksioni për dhurimin vullnetar të gjakut është organizuar duke u bazuar në planin operacional 2022, në koordinim me Qendrën e Mjekësisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Qendrës Kombëtare të Kosovës për Transfuzion të Gjakut( QKKTGJ) dhe sipas planit do të vazhdojë në të gjitha kazermat e Forcës së Sigurisë së Kosovës deri më 7 shtator 2022”, ka thënë ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.
Ai edhe në këtë rast potencoi se Forca e Sigurisë së Kosovës është e gatshme të mbështesë institucionet e vendit dhe t’u dalë në ndihmë të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës në çdo moment dhe në çdo situatë.







