Ministria e Financave, Punëve dhe Transfereve e ka lansuar ditë më parë Platformën për Punësim të të rinjve. Kjo skemë parasheh subvencionimin e pagës në shumë deri 264 euro nga Qeveria e Kosovës për gjashtë muajt e parë të punësimit të të rinjve në Kosovë.
Deputetja Fjolla Ujkani tha sot gjatë seancës plenare në Kuvend se platforma “Superpuna” e prezantuar nga Qeveria, është politikë afatgjate për krijimin e mundësive të reja për të rinjtë që janë të papunë, të cilët do të kenë mundësinë të trajnohen e të përfitojnë aftësi pune dhe eventualisht të qëndrojnë në ato pozita në periudhë më afatgjate.
“Qeveria për çdo të ri dhe të re përmes platformës SuperPuna do të subvencionojë 264 euro të pagës nga punëdhënësi për gjashtë muajt e parë. Kjo masë nga ana e ekzekutivit është një tregues serioz në ndërtimin e një perspektive jetësore për punësimin e të rinjve”, ka thënë Ujkani.
Ajo tha se efektet do të jenë të shumëanshme, ku përveç të rinjve – përfitues do të jenë sektori publik, ai privat, organizatat joqeveritare dhe shoqëria civile.
Ajo pohoi se për gjashtë muajt e parë paga mbulohet nga Qeveria, ndërsa potenciali i tyre i punës koontribuon në zhvillimin e aktiviteteve ekonomike të secilit sektor të punës.
“Platforma “Superpuna”, është hap shumë i mirë në lejimin e një mundësie për të rinjtë. Synimi i Qeverisë është që brenda këtyre 6 muajve të ketë lehtësim të sektorit privat në punësimin e të rinjve tanë, si dhe shumë prej tyre ta përdorin këtë afat 6 mujorë për trajnim, të cilët pastaj edhe pas gjashtë muajve të vazhdojnë të kenë një pozitë stabile”, ka thënë deputetja Ujkani
Ajo thekoi se Platforma e punësimit superpuna për të rinjtë është platforma e pare kreative që implementohet në rajon, masë kjo që pritet të stimuloj të rinjtë në tregun e punës dhe njëherit ndihmon sektorin privat dhe njëkohësisht kontribuon në rritjen ekonomike të vendit.
“Shumë të rinj e të reja gjatë studimeve dhe pas përfundimit të tyre e kanë tejet të vështirë të kyçen në tregun e punës, dhe kjo për shkak se nuk kanë përvojë pune, meqenëse kërkesa bazike nga punëdhënësit është “përvoja e punës.” Kurse tani me këtë masë kjo ua lehtëson sektorit privat t’i punësoj të rinjtë dhe të rejat që ta fitojnë këtë përvojë pune duke u subvencionuar nga qeveria. Pra kjo masë është tejet e mirësearddhur sepse me anë të kësaj platforme Qeveria e Kosovës garanton punën e parë për secilin të ri e të re, duke mbështetur 10 mijë vende të reja të punës për të rinjtë mes moshës 18-25 vjeç, dhe njekohesisht sektori privat do te ndihmohet. Kjo masë pra qytetarë të dashur tregon se ne po i mbahemi zotimeve tona, pra Punë dhe drejtësi, qe kanë qenë dy fjalët kyçe që kemi potencuar para qytetarëve dhe me hapa të sigurt po shkojmë drejt jetësimit të tyre”, ka thënë mes tjerash ajo.


