Një makinë e parkuar dyshohet se është shkaku i vrasjes me armë zjarri të 33-vjeçarit Valter Fierza, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e kaluar në fshatin Hot i Ri në Shkodër.
Konflikti ka nisur mes vëllait të viktimës Kolë Fierza, dhe autorit të dyshuar të vrasjes. Debati nisi në një lokal afër banesave lidhur me parkimin duke pretenduar se është bllokuar rruga.
Rreth një orë pas këtij debati, konflikti ka vijuar mes viktimës Valter Fierza dhe autorit të dyshuar, shtetasi me inicialet K.M.
Pas debatit autori, që është edhe fqinj me 33-vjeçarin, ka marrë armën dhe e ka qëlluar duke e lënë të vdekur në vend.
Policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin 24-vjeçar me inicialet K.M si dhe katër persona të tjerë të dyshuar si të përfshirë në ngjarje.
Janë shpallur në kërkim: K. M., 24 vjeç, A. M., 23 vjeç, P. M., 22 vjeç dhe L. M., 20 vjeç, të gjithë banues në fshatin Hot i Ri, si dhe shtetasi E. D., 38 vjeç, banues në lagjen “Vojo Kushi”.
Policia gjeti dhe sekuestroi me cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë (dyshohet në posedim të shtetasit K. M.) dhe 3 gëzhoja që u gjetën në vendngjarje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.